
Raporti: Kanal10
Partitë opozitare po kërkojnë shpërndarjen e legjislaturës së Kuvendit, pasi nuk po arrin të kryejë asnjë punë. Si shumë herë tjera, edhe sot, kryesia e Kuvendit ka dështuar të mbajë mbledhje, si rezultat i mungesës së kuorumit. Por, nga pushteti thonë se nuk shohin telashe në punën e legjislativit.
Kërkesa për shpërndarje të legjislaturës aktuale dhe shkuarjes në zgjedhje, janë bërë të shumta muajt e fundit.
Situata në veri, mungesa e kuorumit për vendimmarrje në organet e Kuvendit, ka bërë që partitë opozitare të shpeshtojnë thirrjet për kthim të votuesi, përmes një procesi të ri zgjedhor.
Edhe të hënën, ka dështuar mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, si pasojë e mungesës së kuorumit, pasi nënkryetarët nga PDK-ja e LDK-ja, po e bojkotojnë pjesëmarrjen në organin udhëheqës të legjislativit.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se kjo legjislaturë duhet të shpërndahet.
Shefi i deputetëve të PDK-së, me tutje thotë se nuk mund ta ndihmojnë këtë qeveri e cila po e izolon Kosovën.
Por, ndryshe po mendojnë nga partia në pushtet.
Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, thotë se nuk ka asnjë arsye të shpërndahet kjo legjislaturë.
Ndërkohë, për mos votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, ajo, fajin ia ka hedhur deputetëve të opozitës.
Shefja e deputetëve të VV-së, shtoi se presin që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca të caktojë seancë për ditën e enjte.
Kjo nuk është hera e parë që Kryesia dështon të mbajë mbledhje për caktimin e seancës plenare, për shkak të mungesës së kuorumit. /Gazeta10