
Raporti: Egzona Shala/Kanal10
Temperaturat e larta në vend kanë ndikuar që puna në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës të vështirësohet.
Një shqetësim të tillë e ka shprehur edhe një nga doktorët e QKUK-së, i cili përmes një statusi ka thënë se mungesa e klimatizimit në disa reparte po e vështirëson punën në QKUK.
Edhe pacientët të cilët janë të shtrirë në QKUK për trajtim, kanë adresuar ankesa se po ballafaqohen me të nxehtit brenda reparteve.
Kanal 10, ka qëndruar të mërkurën në QKUK derisa familjarë të pacientëve mbrapa kamerave kanë pohuar se brenda reparteve temperaturat janë të larta.
Njëri nga qytetarët ka thënë se në Klinikën e Kirurgjisë aty ku po mjekohet babai i tij, temperaturat janë të larta.
Lidhur me këtë çështje kanë reaguar edhe nga Sindikata e QKUK-së.
Nënkryetari i sindikatës, Agron Kryeziu ka thënë se gjendja nuk është aspak e mirë andaj pret nga institucioni që të ndërmerr hapa sa më parë.
Ekipi i Kanal 10 ka vizituar edhe njërën nga klinikat në QKUK për ta parë nga afër gjendjen.
Drejtori i Klinikës, Shaqir Uka tha se në këtë repart ekziston ventilimi i posaçëm, por presin që edhe pjesët e tjera të pajisen me këtë ventilim.
Ndryshe, me ngritjen e temperaturave Spitali i Përgjithshëm në Gjakove ka ndërprerë të gjitha operacionet.
Por, nga zyra për informim kanë thënë për Kanal 10 se menaxhmenti i ShSKUK-së nuk është njoftuar, por konform kompetencave ligjore është duke e trajtuar rastin.