Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Dëshmia e të mbijetuarit të masakrës së Izbicës në procesin gjyqësor kundër të akuzuarit shqiptar

Gazeta10
01 August 2023 - 8:53

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dëshmitari, M.Th, ka rrëfyer për masakrën Izbicës nga e cila kishte mbijetuar, kurse i njëjti ka thënë se nuk e njeh të akuzuarin Muhamet Alidemaj.

I akuzuari Alidemaj, po akuzohet nga prokuroria special se gjatë periudhës 24 mars dhe deri me 10 qershor kishte shkelur rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare, duke kontribuar në vrasjen e shqiptarëve në fshatin Izbicë.

Gjatë dhënies së dëshmisë së tij, M.Th ka treguar se pasi kishin ardhur forcat serbe në fshat ata ishin larguar jashtë fshatit në lumin Rekë, pas 4 ditëve kishin shkuar fshatin Ticë pastaj Makërmal dhe rrugëve alternative duke iu larguar forcave serbe kishin mbërri nderi në fshatin Kçiq të Komunës së Mitrovicës, ku kishin qëndruar 2 muaj e 20 ditë dhe më pas ishin kthyer në fshatin e tyre deri më 24 mars 1999, raporton Betimi për drejtësi.

Sipas tij, nga thashethemet se fshati Izbicë ishte zonë e sigurt kishin shkuar në fshatin Izbicë, ku pas 4 ditë më 28 mars (ditë e diel), kishte ndodhur masakra.

Mes të tjerash ai ka thënë se më 28 mars 1999, kishin qenë duke ngrënë ushqim ku forcat serbe nga lartë i kishin gjuajtur, ku gratë dhe fëmijëve iu kishin thënë “ecni për Shipni”, ndërsa të tjerët i kishin ulur.

Tutje i njëjti ka thënë se një pjesëtarë i forcave serbe iu kishte thënë se ku e keni Amerikën e Thaçin dhe i kishte sharë me nënë.

Pas kësaj, dëshmitari M.Th, ka thënë se kishte ardhur komandanti i forcave serbe i armatosur ku i njëjti në gjuhën serbe iu kishte drejtuar pjesëtarëve të forcave serbe se “çdo kush e din punën e vetë dhe filloni menjëherë”.

Ai ka thënë se grupi i tij kishte qenë i përbërë nga 33 veta dhe i kishin dërguar buzë malit dhe pasi i kishin detyruar të ulen në gjunjë kishte filluar t’i gjuanin me mitraloz, me ç’rast ishin vrarë 30 persona, ndërsa vetëm 3 kishin shpëtuar, dëshmitari si dhe J.Q dhe Sh.K.

Tutje, dëshmitari rrëfen se grupin  e dytë të popullatës i kishin sjellë 20 metra poshtë tyre dhe i kishin vrarë që të gjithë, po ashtu edhe në grupin e tretë 20 metra lartë tyre ishin vrarë të gjithë, ndërkaq nga grupi i katërt kishin shpëtuar 7 persona.

Dëshmitari M.Th ka shtuar se në fshatin Izbicë ishin djegur edhe 3 pleq së bashku me traktorët të cilët ishin grumbulluar nga forcat serbe.

I njëjti thotë se kishte marrë pjesë edhe në varrimin e 147 të vrarëve të fshatit Izbicë.

Tutje dëshmitari ka thënë se më 12 qershor 1999, i kishin shkuar në shtëpi gazetarët e BBC dhe së bashku me ta kishte tek vendi i varrimit, por aty ishte rrafshuar dhe kishte gjetur një dorë dhe këmbë të cilën iu kishte treguar gazetarëve se çfarë u kanë bërë.

Në fund, dëshmitari M.Th ka thënë se të akuzuarin nuk e njeh dhe askënd nga familja e tij.

Seancat e radhës për këtë çështje penale u caktuan për datat 5 tetor dhe 3 nëntor 2023.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj po ngarkohet se gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka shkelur rëndë rregullat e së drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës kundër popullsisë civile dhe pasurisë së tyre.

Sipas aktakuzës, Alidemaj më 28 mars 1999 në fshati Izbicë, ka marrë pjesë dhe ka kontribuar në vrasjen e popullsisë civile, ashtu që në orët e hershme të mëngjesit në vendin e quajtur “Malet e Stejevcit”, në kodrën e rrugës Kërrninë – Belicë, së bashku me forcat ushtarake dhe policore serbe në të cilën bënin pjesë edhe Ivo Obradovic, Stanoje Shkerkiq, Sasha Vidiq, Milenko Miletiç, Sava Shkerkiq, Ranko Shkerkiq, Bogoljub Miletiq, Ivica Vidiq, Bane Shkerkiq si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, shkojnë tek vendi – livadhi ku ishin të grumbulluar popullsia civile e fshatit Izbicë dhe fshatrave të tjera përreth, me dhunë i ndajnë gratë dhe fëmijët nën moshën 12-vjeçare dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.

Ndërsa, burrat e mbetur thuhet se i ndajnë në tri grupe, duke i dërguar secilin grup në një vend të caktuar dhe i ekzekutojnë me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan, emrat e të cilëve janë paraqitur në shtojcën 1 të kësaj aktakuze, kurse 12 civilë i mbijetuan ekzekutimit, emrat e të cilëve gjenden në shtojcën 2 të kësaj aktakuze, ashtu që trupat e cilëve të vrarë pas 2-3 dite ishin varrosur nga fshatarët.

Tutje, sipas aktakuzës thuhet se përafërsisht pas dy muajve të vitit 1999, i akuzuari Alidemaj së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, u kthyen sërish në fshat, i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur, ndërsa pas përfundimit të luftës trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, në fshatin Suhodoll të Mitrovicës dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.

Më tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Alidemaj së bashku me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në trajtimin çnjerëzor, cenimin e integritetit trupor dhe të shëndetit, zhvendosje, grabitje dhe shkatërrimin e pasurisë së popullsisë civile të fshatit Izbicë dhe fshatrave përreth, ashtu që fillimisht i detyruan me dhunë civilët shqiptarë që të largoheshin nga shtëpitë e tyre duke i kërcënuar ata me armë dhe i grumbulluan në një livadh në mes të fshatit.

Me ç‘rast, i akuzuari Alidemaj thuhet se së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, e thirrën të dëmtuarën Xhemile Osmanaj që të dalë nga turma e njerëzve ku ishin grumbulluar, fillimisht nën kërcënimin e armës ia morën 1 mijë marka gjermane, pastaj nën tytën e armës në shpinë, e detyruan që t’iu prijë gjatë kontrollit të shtëpisë së saj.

Më pastaj, aktakuza thotë se i pandehuri Muhamet Alidemaj e goditi me shuplakë në fytyrë tek dera e shtëpisë dhe e urdhëruan që të shkojë tek turma e civilëve të grumbulluar në livadh, kurse civilëve të tjerë iu konfiskuan të gjitha sendet e tyre personale me vlerë, i rrahën rëndë disa nga meshkujt, i detyruan me dhunë gratë dhe fëmijët të largoheshin në drejtim të Klinës, duke iu thënë të shkojnë në Shqipëri, si dhe nën kërcënimin e armëve ua grabitën çdo gjë me vlerë monetare dhe në fund i shkatërruan dhe i dogjën shtëpitë e fshatit Izbicë.

Me këtë, akuzohet se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.