
Një incident ka ndodhur mbrëmë në një lokal të Prishtinës, nga ku 21 persona janë lënduar, derisa së fundi është konfirmuar se njëri prej tyre ka vdekur.
Nga ky rast siç njofton Policia e Kosovës, kanë mbetur të lënduar katër meshkuj nga arma e zjarrit, teksa 17 persona, prej tyre tre burra dhe 14 femra, janë lënduar si pasojë e thyerjeve të gotave-shisheve të qelqit.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësit relevante policore dhe njësia K-9, në vend-ngjarje janë gjetur katër gëzhoja dhe njolla gjaku.
E, para pak çastesh, nga Radio Televizioni i Kosovës janë publikuar pamje të rënda të momenteve kur një numër i madh i qytetarëve u lënduan, si pasojë e kësaj përleshje nga dy grupet kriminale të udhëhequra nga i kërkuari i FBI-së, Dukagjin Nikollaj si dhe Andi Pajaziti i njohur me nofkën ‘italiani’, i cili është i njohur për rreth 150 vepra penale e që u lirua para pak kohësh nga burgu.
Në këto pamje shihet brenda lokalit një person i gjakosur teksa disa të tjerë i qëndrojnë pranë, një tjetër teksa dërgohet me shpejtësi për në Ambulancë, si dhe një vajzë e fashuar në dy vende nga plagët e marra.