
Pas sulmit ndaj ekipit të “Nacionales” në protestën kundër DokuFest në Prizren, ka reaguar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Konjufca në reagimin e tij ka thënë se pengimi i punës së gazetarëve dhe fyerjet gjatë kryerjes së detyrës janë të papranueshme.
Ai e ka dënuar sulmin në fjalë duke thënë se nuk i shërbejnë synimeve tona si shoqëri.
“Pengimi i punës së gazetarëve apo fyerjet gjatë kryerjes së detyrës janë të papranushme. Si të tilla, i dënoj me bindjen se nuk i shërbejnë aspak synimeve tona si shoqëri. Media përbën hapësirën dhe mjetin përmes të cilit fjalët dhe qëndrimet e shprehura publikisht gjejnë mundësinë për shtrirje dhe trajtim më të gjerë të një çështjeje, ndërsa pengimi i gazetarëve është njëkohësisht mbyllje e hapësirës publike dhe tkurrje e vlerave demokratike” shkruan Konjufca.
Tutje Konjufca ju ka bërë thirrje organeve kompetente që të hetojnë menjëherë rastin.
“Bëj thirrje që organet kompetente ta hetojnë dhe vlerësojnë rastin menjëherë në kuadër të përgjegjësisve dhe detyrave të tyre përkatëse” shkruan Konjufca në reagimin e tij.