
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas deklaratës së presidentit Macron, derisa thotë se kjo rikonfirmon qëndrimin e BE-së, se koha e fjalëve dhe këshillave tashmë ka kaluar.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se pas masave të BE-së, rishikimi i liberalizimit të vizave për qytetarët do tanë do të ishte tejet dëshpërues.
Çitaku ka thënë se kjo është këshillë për Qeverinë dhe se askush s’po i kërkon asaj që të veprojë kundër interesit të shtetit dhe qytetarëve tanë.
Ajo ka bërë thirrje që Qeveria të veprojë me përgjegjësi dhe mos t’ua cenojë lirinë e lëvizjes qytetarëve të Kosovës.
Postimi i saj i plotë:
Deklarata e Presidentit Macron për rishikim të politikave të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse palët nuk sillen me përgjegjësi, duhet të merret seriozisht nga Qeveria.
Kjo deklaratë rikonfirmon qëndrimin e BE-së, se koha e fjalëve dhe këshillave tashmë ka kaluar.
Pas masave konkrete të BE-së kundër Kosovës, pas zhvillimeve të fundit politike në vend, rishikimi i liberalizimit të vizave për qytetarët do tanë do të ishte tejet dëshpërues.
Prandaj, përtej kritikës dhe politikës ditore, kjo është një këshillë për Qeverinë. Askush nuk po iu kërkon të veproni kundër interesit të shtetit dhe qytetarëve tanë.
Përkundrazi, kuptojeni drejtë paralajmërimin e Presidentit Macron, veproni me përgjegjësi dhe mos ua cenoni lirinë e lëvizjes qytetarëve të Kosovës – të merituar dhe të pritur prej shumë vitesh!