
Deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka kërkuar një angazhim më të madh të Kosovës në Luginën e Preshevës, raporton Gazeta10.
Kamberi ka thënë se me zv.kryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi si dhe Ministren e Arsimit, Arbërie Nagavcin, kanë biseduar për rrjedhën e përgjithshme politke në Luginën e Preshevës.
Kamberi ka thënë se Kosova duhet të kërkojë përfshirjen e të drejtave të shqiptarëve në dialogun me Serbinë.
Këtu keni statusin e tij të plotë:
“Gjatë vizitës së tyre zyrtare në Luginë të Preshevës pata rastin të takoj zv.Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi dhe Ministren e Arsimit të Republikës së Kosovës, znj. Arbërie Nagavci.
Biseduam për rrjedhat e përgjithshme politike në Luginë të Preshevës e rajon, nevojën e prezencës më të madhe të Republikës së Kosovës në Luginë të Preshevës me projekte konkrete, nevojat e qytetarëve të Luginës në Kosovë e sidomos për angazhim më të madh të përfshirjes të të drejtave të shqiptarëve në dialog me Serbinë duke aplikuar parimin e reciprocitetit”, ka shkruar Kamberi në llogarinë e tij në Facebook.
Sot dy ministrat e Kosovës po qëndrojnë në një vizitë zyrtare në Serbi teksa në Kosovë është në një vizitë kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq. / Gazeta10