
Basketbollisti i Trepçës, Drilon Hajrizi, në prag të fillimit të sezonit të ri të Superligës së Kosovës në basketboll, ka folur për synimet e klubit mitrovicas për këtë edicion, raporton Gazeta10.
Hajrizi fillimisht tha se Trepça përgatitjet i ka filluar me kohë dhe çdo gjë po shkon mjaft mirë.
“Kemi filluar me kohë dhe deri më tani nuk kemi pasur ndonjë problem. Kemi zhvilluar edhe disa ndeshje miqësore, që të jemi sa më të gatshëm për edicionin e ri. Po ashtu klubi ka bërë disa përforcime, që të jemi sa më konkurrues për edicionin e ri.”, ka thënë fillimisht Hajrizi.
31-vjeçari gjithashtu foli edhe për synimet e ‘Xehtarëve’ për stinorin 2022/23.
“Shpresojmë se do të kemi paraqitje sa më të mira në të gjitha garat që do të marrim pjesë këtë edicion. Superliga do të filloj pas disa ditësh dhe po përgatitemi që të jemi gati për garat e elites. Është hera e parë që luajmë në këtë garë evropione dhe zhvillohet në ‘shtëpinë tonë’. Ky është një motiv më i madh dhe shtesë për ne. Shpresojmë në paraqitje të mirë, edhe pse nuk do të kemi lehtë.”, përfundoi Hajrizi.
Trepça në fazën e parë kualifikuese të FIBA Europe Cup do të përballet me skuadrën gjermane Gottingen, ndërsa ndeshjen hapëse të Prince Caffe Superligës, klubi nga Mitrovica do t’a luajë kundër Ponte Prizrenit. /Gazeta10/