
Drita ka vazhduar dominimin në derbin e qytetit ndaj Gjilanit.
Të dielën në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, Drita e mposhti rivalin lokal me rezultatin 2:0. Ndeshja i takoi xhiros së tetë të Superligës së Kosovës në futboll. Drita nuk ka humbur në derbin lokal që nga viti 2021.
Skuadra e trajnerit Akis Vavalis, shënoi nga një gol në secilën pjesë për fitoren 2:0.
Almir Ajzeraj shënoi për 1:0 në momentin më të mirë, përkatësisht në minutën e 44-t të takimit. Ndërkohë për 2:0 shënoi Ardit Tahiri në minutën e 83-të të ndeshjes.
Drita është e treta në tabelë me 15 pikë nga shtatë ndeshje. Nuk e ka luajtur ende ndeshjen e xhiros së tretë ndaj Ballkanit. Gjilani, që po ashtu ka një ndeshje më pak të luajtur është i shtati me shtatë pikë. Për shkak të krizës që kishte, e të cilën e ka kaluar tashmë, Gjilani nuk e ka zhvilluar ende ndeshjen e xhiros së parë me Fushë Kosovën.