
E përditshmja britanike, The Guardian, ka zbuluar se Rusia ka planifikuar të rekrutojë qindra shtetas serbë për të forcuar ushtrinë, bazuar në deklaratat e dy qytetarëve serbë që shkuan në Rusi dhe një liste të serbëve të rekrutuar që u gjet nga gazeta britanike.
The Guardian foli me një burrë, identiteti i të cilit është fshehur për sigurinë e tij, dhe u prezantua si Branko.
Në fillim të shtatorit, Branko hipi në një fluturim direkt nga Beogradi për në Moskë.
Pas disa ditësh, ai dhe tre shtetas të tjerë serbë u dërguan në një qendër rekrutimi ushtarak në Krasnogorsk, një qytet në periferi të Moskës, ku grupi nënshkroi kontratë me ushtrinë ruse.
“Gjithçka shkoi shumë shpejt, në një ditë u bëra ushtar për Rusinë… Tani pres të më dërgojnë në Ukrainë”, ka thënë Branko.
Branko, sipas The Guardian, është pjesë e përpjekjeve të fundit të Moskës për të rekrutuar serbët për të luftuar për ushtrinë ruse në Ukrainë, ndërsa Kremlini kërkon të rikuperojë forcat e humbura.