
Emisioni “Kampionët” vazhdon edhe këtë të diel, kësaj radhe duke trajtuar temën rreth Superligës së Kosovës dhe trendit të shkarkimeve të trajnerëve në futbollin kosovar.
Të ftuar në studio janë si çdo herë analistët e përhershëm: Liridon Leci dhe Bekim Isufi, gjersa atyre i bashkohen edhe Behar Maliqi, Kastriot Rexha e Taulant Dajaku.
Në lidhje direkte u paraqitën edhe Lulzim Abazi, president i KF Ferizaj dhe Shefki Dauti nga KF Vjosa.
Gjatë diskutimit në studio, foli edhe Liridon Leci, analisti i përhershëm i emisionit “Kampionët”.
“Disa ekipe në Ligën e Parë, si Ferizaj e Suhareka po sillen sikur çdo vit luajnë në Ligën e Kampionëve, duhet të kenë më shumë durim në drejtim të trajnerëve” – tha ai.
Leci tha se trajnerëve duhet t’i besohet më shumë, sepse klubet po tregohen të padrejta me trajnerë.
“Edhe trajnerët duhet të din se çfarë po zgjedhin, pasi ka disa klube që kanë pretendime të mëdha e nëse nuk je i gatshëm për atë punë atëherë do të pasojë me shkarkim. Mirëpo, në disa raste po ka presion kot në drejtim të trajnerëve pas një humbje ose barazimi, duhet të jenë më të besueshëm në drejtim të tyre” – përfundoi ai.