
“Serbia është e gatshme ta zbatojë” planin e ofruar nga pesë emisarët më 21 tetor, ka thënë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë në TV Prva, por tha se e njëjta nuk vlen edhe për Kosovën, për çka shtoi se “ata nuk duan të themelojnë Asociacionin e Komunave (të banuara me shumicë) Serbe”.
“Shqiptarët por shpikin marifet pas marifeti”, tha Vuçiq, derisa shtoi se “kanë arritur të mashtrojnë dikë edhe në Evropë ose në Shtete të Bashkuara të Amerikës”.
Në pretendimet e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se Vuçiq ka kërkuar një “letër shtojcë” e cila sipas tij, “praktikisht do zhbënte tri parime” të Marrëveshjes Bazike për normalizim të marrëdhënieve, presidenti serb e mohoi.
“Nuk kam kërkuar letër anësore, siç tha Kurti. Thash që jam gati të përmbush obligimet tona, dhe pastaj vendosa një presje dhe shtova që nuk mund të pranojmë ndonjë gjë që ka të bëjë me njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të tyre në OKB. Thash atë që kam thanë në Ohër dhe Kisihnau, e kam thënë çdo herë”, ka thënë Aleksandar Vuçiq.
“Kurti nuk dëshiron të flasë për Asociacionin. Ju keni parë që ka aktorë politikë që nuk duan të shohin Asociacionin, siç është Alicia Kearns. Në anën tjetër, autoritetet në Gjermani po kërkojnë zbatimin e saj”, tha ai.
Mes tjerash, ai shtoi se “ka aktorë politikë nga shumë vende që s’duan të shohin formimin e Asociacionit të Komunave (të banuara me shumicë) Serbe”.
Duke folur për atë çka është kërkuar në Bruksel të enjten, Vuçiq tha se është kërkuar dënimi i sulmit paramilitar dhe terrorist në Banjskë “nga disa fqinj tonë” për të cilët tha se “të gjithë e dinë se cilët fqinjë janë ata”.
“Por, nuk kaloi kjo gjë”, tha Aleksandar Vuçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjithashtu tha që në takimin me liderët e BE-së, Francës, Gjermanisë dhe Italisë, i është kërkuar që të firmosë dokumentet e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën, por se i njëjti ka refuzuar të nënshkruajë.
“Isha ulur i vetëm përballë Olaf Scholz-it, Emmanuel Macron, Josep Borrell, Miroslav Lajçak. Dhe Macron-i më jep dokumentet dhe më thotë të nënshkruajë. Dhe unë, i ulur vetëm, dhe duke menduar në kokën time, në fund kthehem i them që kam Kushtetutën e Serbisë, të cilën e dua dhe e respektoj, dhe se nuk mund të nënshkruajë”, ka thënë Aleksandar Vuçiq.