
Emisioni “Kampionët” vazhdon edhe këtë të diel, kësaj radhe duke trajtuar temën rreth trajnerëve kosovarë dhe Superligës së Kosovës.
Të ftuar në studio janë, Liridon Leci, gjersa atij i bashkohet edhe Tahir Batatina, Debatik Curri, Jeton Gashi, Kujtim Zebica dhe Tahir Lushtaku. Në lidhje direkte janë të ftuar edhe Klodian Duro dhe Bledi Shkëmbi.
Gjatë diskutimin për dukurinë e shkarkimeve të trajnerëve në futbollin kosovar, Batatina theksoi se nuk po i pëlqen mosdurimi në drejtim të tyre, duke thënë se ai vetë është më i mirë se ata që vijnë nga jashtë.
“Në karrierën time, më vështirë e kam pasur të përballem me trajnerë vendor nga Kosova se me ata që vinin nga jashtë” – tha ai.
Tutje, Batatina tha se asnjë trajner i huaj nuk ka mbetur në librat e historisë në futbollin kosovar.
“Nuk po i llogaris trajnerët nga Shqipëria, pasi ata për mua llogariten si trajnerë vendor, mirëpo asnjë trajner tjetër i huaj nuk ka mbetur në histori të futbollit kosovar” – tha ai.
Në vazhdim e sipër, Batatina komentoi statusin e tij në rrjetin social “Facebook”.
“Ai mesazh ishte në drejtim të gjyqtarëve të Superligës e Kosovës, të cilët nuk po tregohen të drejtë në vendimet e tyre, duke na dëmtuar në ndeshje të caktuara.” – përfundoi ai.