
Qeveria gjermane thotë se do t’ia lëshojë 91 milionë euro agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatë palestinezë pas një shqyrtimi që e kishte nisur pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit.
Më 8 tetor, një ditë pas sulmit të Hamasit në jug të Izraelit, Gjermania i kishte pezulluar ndihmat zhvillimore për zonat palestineze në pritje të një rishikimi, edhe pse i kishte vazhduar ndihmat humanitare, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Ministria e Zhvillimit tha se ende nuk e ka përfunduar rishikimin, por se ishte përqendruar fillimisht te fondet për agjencinë UNRWA. Kjo ministri tha se “si rezultat i parë i pjesshëm”, ka vendosur që të lëshojë 71 milionë euro tashmë të ndara për agjencinë e OKB-së dhe për të shtuar 20 milionë euro fonde të reja.
Ministria gjermane tha se fondet e reja, të njoftuara nga ministrja e Zhvillimit, Svenja Schulze, pas një takimi në Jordani me kreun e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë, do të përdoren për ta ndihmuar vazhdimin e ofrimit të shërbimeve themelore – sidomos ujin e pijes – për personat e zhvendosur në Rripin e Gazës dhe për t’i ndihmuar refugjatët palestinezë në Jordani