Komuna e Prishtinës ka reaguar pas kritikave për gjendjen e stadiumit “Fadil Vokrri”. Komuna ka thënë se përgjegjësinë për mirëmbajtje e ka pasur Federata e Futbollit.
Postimi:
Të nderuar qytetarë,
Gjatë ditës kanë qarkulluar informata të pasakta se mirëmbajtja e stadiumit “Fadil Vokrri” është në përgjegjësi të Kryeqytetit Prishtina, dhe se institucioni nuk është kujdesur për fushën e stadiumit.
Ju informojmë se mirëmbajtja e stadiumit të futbollit “Fadil Vokrri” nuk është përgjegjësi e Kryeqytetit Prishtina, por është obligim i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Kjo përgjegjësi është e rregulluar me nenin 3, paragrafi 1.3. të Memorandumit të Bashkëpunimit të lidhur ndërmjet Kryeqytetit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës me datën 30 dhjetor 2022.
Ne jemi të vetëdijshëm se stadiumi “Fadil Vokrri” është i mbingarkuar me lojëra ndërkombëtare të klubeve dhe të Kombëtares së Kosovës dhe rrjedhimisht është në gjendje jo të mirë,prandaj Kryeqyteti bashkë me Federatën e Futbollit të Kosovës është duke punuar tash e sa kohë për ndërtimin e stadiumit të ri të Kryeqytetit.