
Qeveria e Kosovës muajin tetor të këtij viti e ka mbyllur me 672.2 milionë depoiztë në BQK.
Sipas raportit të bilancit të gjendjes së Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) për muajin tetor 2023, vlera e investimeve totale në letra me vlerë dhe depozita arrin në 1.14 miliard euro, prej të cilave 672.2 milionë euro janë nga Qeveria e Kosovës.
Sipas raportit, sa i përket depozitave të BQK-së, deri në këtë muaj ato ishin 1.46 miliard euro, raporton Gazeta10.
“Vlera e këtyre investimeve në depozita dhe letrat me vlerë jashtë vendi më 31 tetor 2023 ishte 1.14 miliard euro. Depozitat në BQK deri në këtë muaj ishin 1.46 miliard euro, prej të cilëve 672.2 milionë euro janë nga Qeveria e Kosovës, 524 milionë euro nga bankat komerciale dhe 163.9 milionë euro nga Agjencia Kosovare e Privatizimit”, thuhet tutje në raport.
Depozitat e Qeverisë së Republikës së Kosovës deri në këtë periudhë janë rritur për 33 milionë euro.
“Asetet e BQK-së në muajin tetor 2023 arritën vlerën prej 1.84 miliard euro. Ndërsa, depozitat e Qeverisë së Kosovës janë rritur për 33 milionë euro dhe Fondi i Sigurimit të Depozitave për 2 milionë euro”, thekson BQK-ja.

Ndërsa, Asetet Rezervë të BQK-së shënuan vlerën e 1.36 miliard eurove.
“Asetet Rezervë në fund të muajit tetor 2023 shënuan vlerën e 1.36 miliard eurove e që janë për 15 milionë euro më të ulëta se në muajin paraprak. Kësaj rënie i ka kontribuar zvogëlimi i depozitave me jashtë për 3.1 milionë euro dhe investimet në letra me vlerë për 11.3 milion euro”, përfundon raporti i BQK-së. /GAZETA10/