
Fadil Kodra duhet të kthehet në pozitën e mëparshme. Ky është të paktën vendimi që ka nxjerrë Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës, i cili është bërë publik nga avokati i tij, Faton Fetahu.
Shkarkimi i Kodrës nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ishte cilësuar nga Fadil Kodra, drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Fadil Kodra si i paligjshëm, gjë që kishte nxitur atë ta ankohet, raporton Gazeta10.
Ankuesi në ankesën e parashtruar në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës ka pretenduar se ky veprim i ministrit Sveçla nuk është në përputhje me ligjin.
Sipas vendimit 7 faqësh të Këshillit i Pavarur Mbikëkqyrës i Shërbimit Civil të Kosovës, të cilin e ka siguruar Gazeta10 obligohet që Fadil Kodra të rikthehet në detyrë nga ana e ministrit Svecla, në afat prej 15 ditësh.
Fadil Kodra ka shërbyer si udhëheqës i agjencisë që menaxhon me njësitë e zjarrfikësve që nga viti 2010, kur ishte emëruar në këtë pozitë nga Qeveria “Thaçi 1”.
Për shtatë vjet, Kodra shërbeu si Kryeshef Ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, ndërkaq në pesë vitet e fundit ka ushtruar pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm në këtë agjenci.
Sipas përshkrimit zyrtar, misioni i AME-së është mbështetja e qytetarëve për tu përgatitur, mbrojtur dhe reaguar nga të gjitha rreziqet e mundshme, kryesisht ato natyrore.
Fadil Kodra, është familjari i Ilaz Kodrës, Komandantit të Brigadës 114 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili ra heroikisht gjatë luftën për çlirimin e Kosovës më 30 prill, 1999./Gazeta10





