Kontaktoni

info@gazeta10.com

10 LIVE

Gjykata Kushtetuese e rrëzon ligjin për masat e përkohshme të produkteve bazë, voton në favor të opozitës

Gazeta10
24 November 2023 - 12:11

Gjykata Kushtetuese ka vendosur në favor të deputetëve të opozitës lidhur me ankesën që Arben Gashi dhe 9 deputetë të tjerë e kishin çuar në Kushtetuese, lidhur me Ligjin për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, shkruan Reporteri.net.

“Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KO 173/22, me parashtrues Arben Gashi dhe 9 (nëntë) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të parashtruar në Gjykatë bazuar në përcaktimet e paragrafit 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg. Gjykata ka vendosur (i) njëzëri të shpallë kërkesën e pranueshme; (ii) të konstatojë, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, se paragrafët 2 dhe 4 të nenit 4 (Produktet Themelore), paragrafi 2 i nenit 5 (Masat e përkohshme mbrojtëse), paragrafët 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe 9 të nenit 8 (Vendimmarrja) dhe paragrafi 2 i nenit 9 (Mbikëqyrja dhe sanksionet) të Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], nenin 10 [Ekonomia] dhe paragrafin 5 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iii) të konstatojë, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, se neni 10 (Hyrja në fuqi) i Ligjit nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 1 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; (iv) të shpallë të pavlefshëm, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, në tërësinë e tij, Ligjin nr. 08/L-179 për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg; dhe (iv) të refuzojë, njëzëri, kërkesën për masën e përkohshme”, njofton gjykata.

Aktgjykimi fillimisht sqaron që, Ligji i kontestuar rregullon caktimin e masave të përkohshme mbrojtëse të furnizimit me produkte themelore për konsumatorët, në kohë të paraqitjes së rasteve të veçanta të destabilizimit në treg dhe mënyrën e zbatimit të tyre ndaj autoriteteve dhe operatorëve ekonomik, në mënyrë që të eliminohen efektet e rritjes së çmimeve si dhe mungesës së produkteve themelore në treg.

I njëjti, ndër tjerash, përcakton shkaqet në kuadër të të cilave mund të vendosen masat e përkohshme mbrojtëse. Këto të fundit, përfshijnë (i) kufizimin e sasisë që i shitet konsumatorit brenda periudhës së caktuar; (ii) ndalimin e largimit nga shitja e produktit; (iii) caktimin e marzhës tregtare për shitjen me shumicë dhe pakicë; (iv) caktimin e çmimit maksimal të lejuar; (v) detyrimin e operatorit ekonomik për të ruajtur pjesën e caktuar të stokut të produktit; (vi) detyrimin e operatorit ekonomik për t’u furnizuar dhe për të ofruar për shitje produkte themelore si para caktimit të masave mbrojtëse; dhe (vii) ndalimin, kufizimin e eksportit. Sipas përcaktimeve të Ligjit të kontestuar, ndër tjerash, masat mund të vendosen në përpjesëtim me nevojën për mbrojtjen e konsumatorit dhe duhet të jenë në përputhje me zotimet dypalëshe të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Ligji i kontestuar, gjithashtu dhe ndër tjerash, përcakton themelimin e një Komisioni që ofron rekomandime Ministrit përkatës lidhur me përcaktimin dhe kohëzgjatjen e masave të përkohshme mbrojtëse dhe i mundëson të njëjtit që të këshillohet me autoritetet relevante publike në këtë kontekst, përfshirë Këshillin e MSA-së, ndërsa Kryeministrit i përcakton kompetencën që të shfuqizojë, të anulojë ose të ndryshojë çdo vendim të Ministrit për vendosjen e masave të përkohshme mbrojtëse ndaj operatorëve ekonomik, përkatësisht personave juridik/fizik në rrethana të destabilizimit të tregut.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.