Kontaktoni

info@gazeta10.com

Sport

S’u kualifikua, por ‘fitoi’ në aspekte tjera – Kampanja dëshpëruese e Kosovës për “EURO 2024”

Gazeta10
25 Nëntor 2023 - 21:49

“Me Kosovën në Evropian” – Kështu niste kampanja kualifikuese për “EURO 2024”, e cila përfundoi si mos më keq.

Kosova humbi, por edhe fitoi në disa aspekte, pas përvojës në këtë cikël kualifikues, “i dështuar” për çdo tifoz të kombëtares dardane.

Mirëpo, për të qenë sa më korrekt, le të kthehemi disa muaj mbrapa, më saktësisht më 25 mars, atë ditë kur Kosova përballej me Izraelin në “Bloomsfield Stadium”, me takimin që përfundonte 1-1.

Kjo ishte ndeshja e parë e kualifikimeve, me “Dardanët” që nuk arritën më shumë se barazim, ndonëse patën rast të ‘artë’ në sekondat e fundit të ndeshjes përmes Milot Rashicës.

Rezultati ndaj Izraelit nuk ishte aq dëshpërues, sa do të ishte ai pasardhës… Shifrat e njejta, kundërshtari i ndryshëm. Kosova barazonte 1-1 me Andorrën në “Fadil Vokrri” vetëm tre ditë pas ndeshjes së parë.

Kualifikimet që nisën me shumë shpresë nuk po shkonin në rrugën e duhur, me Kosovën që tashmë lëshonte 4 pikë vetëm në dy ballafaqimet e para.

Muaji mars përfundoi ashtu siç përfundoi. Tashmë selektori Alain Giresse dhe lojtarët mendjen e kishin te ndeshjet e qershorit, me synim tre pikët e para dhe rikthimin në garë për një vend që dërgon në Gjermani.

E kishin gabim… Kosova nuk iu nda barazimit as në ndeshjen e tretë. Përsëri në “Fadil Vokrri”. Kësaj here ishin rumunët që dilnin të ‘gjallë’ nga kështjella dardane. Sfida përfundonte pa gola dhe Kosova ende ishte në kërkim të fitores.

19 qershori i këtij viti pritej të ishte dita e ‘çlirimit’ të Kosovës nga barazimet dhe të niste fitoret. Kundërshtar kësaj here ishte Bjellorusia. Luhej në një vend neutral, pa tifozë. Të gjitha këto i shkonin përshtati Kosovës, mirëpo edhe kësaj here dështuan. Dy minuta ishin të mjaftueshëm që Kosova të kapitullonte në Hungari. Vedat Muriqi zbuti epërsinë në minutën e 87-të, mirëpo tre pikët mbeten te bjellorusët.

E humbja ndaj Bjellorusisë, ishte ndeshja e fundit në krye të Kosovës për Alain Giresse. Pas rezultateve të dobëta përgjatë fillimit të kualifikimeve, por jo vetëm, francezi u ‘përshëndet’ me kombëtaren e Kosovës.

Në krye të Kosovës përkohësisht erdhi një emër i njohur për tifozët kosovarë. Primoz Gliha, i cili edhe më herët kishte drejtuar Kosovën në dy ndeshje, merrte ‘përgjegjësinë’ deri në fund të këtij cikli kualifikues. Ndihmës të tij u caktuan Arbnor Morina dhe Afrim Tovërlani, të cilët njëherazi ushtronin detyrën edhe si selektor të grupmoshave të Kosovës.

Ndeshja e parë në krye të Kosovës për Glihan ishte mjaft e vështirë. Një mision i pamundur. Kosova po kalonte në momentet më të vështira të saj që nga pranimi në UEFA e FIFA. 9 shtatori solli në “Fadil Vokrri” kombëtaren e Zvicrës. Gliha po debutonte me Kosovën në periudhën e tij të dytë, madje e bëri me stil. Ndali Zvicrën 2-2 dhe na bënte t’i ‘qajmë’ ato pikët e humbura lehtësisht ndaj kundërshtarëve tjerë.

Ca shkëndija shprese u shtuan. Mirëpo u shuan menjëherë në ndeshjen e dytë të muajit shtator. Në “Arena Nationala” të Rumanisë, Kosova shijonte disfatën e dytë në këto kualifikime. Ndërprerje të ndeshjes, thirrje raciste ndaj Kosovës, pankarta “Kosova është Serbi”, kartonë të kuq, gola, penalti e humbur. Të gjitha këto karakteristika i kishte kjo ndeshje, e cila përfundoi 2-0 në të mirë të Rumanisë, me Kosovën që tashmë ishte pashpresë.

12 tetori shënoi një datë ‘historike’ për Kosovën në këto kualifikime. “Dardanët” arritën fitoren e parë, duke triumfuar ndaj Andorrës me shifrat 3-0 si mysafir.

Fiks pas një muaji, të besuarit e Primoz Gliha morrën tre pikëshin e radhës, atë ndaj Izraelit me golin e Milot Rashicës.

Muaji nëntor ishte pak i zënë për Kosovën pasi kishte tri ndeshje të parapara për t’u luajtur, mirëpo kjo ndaj Izraelit ishte në orar të pazakontë. Luhej më 12 nëntor, ditë e diel, ditë që çdo ligë respektive kishte ndeshje.

Probleme për t’i bindur klubet t’i lëshojnë lojtarët. Disa erdhën dhe sakrifikuan shumë, disa mezi erdhën, gjersa disa nuk erdhën fare.

Vedat Muriqi pranoi menjëherë, madje klubi i tij shtyu ndeshjen për shkak të udhëtimit të tij te Kosova. Amir Rrahmani e Edon Zhegrova nuk erdhën. Njëri me arsyetimin se po i lëshon rrugë të rinjëve për këto ndeshje e tjetri se ‘kinse’ u ndalua nga klubi.

Shumë polemika përcollen këto ngjarje, mirëpo ajo çka mund dhe duhet të them është se Kosova ia pa hajrin këtyre ‘dëshirave’ të lojtarëve.

Ndoshta nga presioni i publikut, ndoshta edhe vetë i ftoi, Primoz Gliha përfshiu në listë katër lojtarë nga Superliga e Kosovës.

Lubardh Dellova e Qëndrim Zyba nga Ballkani dhe Ilir Krasniqi e Muhamet Hyseni nga Llapi.

Secili më i mirë se tjetri, Personalisht, për Dellovën nuk kisha ndonjë merak, e dija se do të përshtatej me këtë nivel garash, mirëpo paraqitjet e Krasniqit, Zybës e Hysenit më befasuan.

Dellova, Krasniqi e Zyba ‘djersitën’ fanelën e Kosovës në ndeshjen ndaj Izraelit, duke qenë ndër më të mirët në fushë, gjersa monstruoze ishte edhe paraqitja ndaj Zvicrës. Madje, Muhamet Hyseni debutoi me gol pikërisht në këtë ndeshje. I rritur nga Superliga e Kosovës i shënoi portierit të Interit, Yann Sommer, madje duke mashtruar me lëvizje fituesin e tripletës sezonin e kaluar, Manuel Akanji. Në këtë ndeshje debutimin me Kosovën e gjeti edhe Visar Bekaj, i cili pas mungesës së Aro Muric, shijoi 90 minutëshin e parë me kombëtaren dardane.

Cikli kualifikues “dëshpërues” për “EURO 2024” përfundoi në “Fadil Vokrri” me ndeshjen ndaj Bjellorusisë. Humbëm 1-0… Nuk ishte për t’u çuditur më. Një ‘gjysmëgabim’ nga Bekaj i dhuron topin lojtarit bjellorus, i cili me një goditje të saktë ‘ngul’ thikën e fundit në zemrat e tifozëve të Kosovës, të cilët përgjatë këtyre kualifikimeve përjetuan të gjitha llojet e emocioneve. Nga dëshpërimi te gëzimi e deri në fund te hidhërimi e pikëllimi.

STATISTIKAT E LOJTARËVE NË KUALIFIKIMET PËR “EURO 2024”

Statistikat kyçe:

10 ndeshje të luajtura: 10 gola të pranuar, 48.4% (mesatarja e posedimit të topit), 76.6% (mesatarja e saktësisë së pasimeve), 3 porta të paprekura, 32 kartonë të verdhë e një i kuq.

Golashënuesit:

Vedat Muriqi e Milot Rashica janë goalshënuesit më të mirë të kësaj kampanje me nga 3 gola. Muhamet Hyseni, Altin Zeqiri, Edon Zhegrova kanë nga një, gjersa golin tjetër e ka shënuar Dasa i Izraelit (autogol).

Paraqitjet:

Lojtari me më së shumti paraqitje është Florent Muslija me nëntë gjithsej, gjersa më së shumti minuta kanë Fidan Aliti e Aro Muric me 720 sosh.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.