
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kritikuar ashpër ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia. Në një konferencë për medie, ai ka thënë se ministri Vitia ka shtyrë ligjet për shëndetësi dhe sigurime shëndetësore.
Ish-ministri i Shëndetësisë ka bërë me dije se miratimi i këtyre ligjeve ishte paraparë për këtë vit.
“Fondin shëndetësor të cilin e ka premtuar ministri Vitia që tri vite, nuk e kemi asgjëkundi, e madje lajmi kryesor i ditës, të cilin po e them për herë të parë në këtë konferencë, është se pikërisht ky ministër e ka larguar nga strategjia ligjin për Shëndetësi dhe ligjin për sigurime shëndetësore hiç më larg se tri ditë më parë”, ka thënë Zemaj.
Sipas tij, ligjet në fjalë janë bartur për vitin tjetër.
“Kam informacione të sakta, të konfirmuara, se ky ligj është bartur për vitin e ardhshëm nga ana e ministrit Vitia. Do të thotë prioritetet dhe premtimet e qeverisë, me të cilat erdhën në pushtet, tani po kalojnë në bartje për vitet e ardhshme”, është shprehur Zemaj.