
Më 13 dhjetor të këtij viti do të pensionohet prokurorja Drita Hajdari, transmeton Reporteri.net.
Hajdari sot në një konferencë për media, bëri të ditur se do të pensionohet të mërkurën e javës së ardhshme.
Në këtë rast, prokurorja e cila ndërtoi aktakuzën për Masakrën e Mejës, tha se nuk do ta përfaqësojë në gjykatë këtë aktakuzë. Tha se rasti i është transferuar prokurorit special Ilir Morina.
“Unë nuk do ta përfaqësoj këtë rast sepse unë më 13 dhjetor do të pensionohem, dhe rastin në gjykatë do ta përfaqësojë prokurori Ilir Morina”, ka thënë Hajdari.
Që nga viti 2013, Hajdari u emërua prokurore speciale në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Më 2016, ajo hapi një rast të krimeve të luftës që përfshinte gjithë kreun e UÇK-së.
Prokurorja Hajdari hetoi vrasjen e dy civilëve shqiptarë më 2 tetor 1998 në rajonin e Malishevës. Vrasjen e tyre, sipas aktakuzës, e kishte kryer UÇK-ja. Përgjegjësinë e kishte marrë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Ngriti aktakuzë kundër Fatmir Limajt, ish-komandant i Brigadës 121.
Prokurorja Hajdari kishte ngritur ndjekur penalisht ish-ministrat Astrit Haraqija dhe Valton Beqiri. Të dy ishin shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Ajo kishte ngritur aktakuzë edhe për ndërtimet e egra dhe degradimin e Prishtinës kundër dhjetë inspektorëve komunalë.
Hajdari hetoi edhe rastin e Mejës, masakrës më të madhe të luftës në Kosovë. Në aktakuzën për këtë masakër përfshihen 53 persona.