
Kryeministri Albin Kurti ka folur sot për arritjet në Kosovë nën udhëheqjen e partisë së tij, me çrast ka dekalruar se të gjithë duhet të jenë krenarë për sukseset e qeverisë.
“Kemi përmbushur një premtim të kamotshëm të partisë sonë -themelimin e Fondit Sovran. Ky fond do t’i forcojë ndërmarrjet publike dhe do të shtojë kapitalin investiv në ekonominë tonë”, ka thënë ai.
Kurti ka folur edhe për buxhetin e vitit 2024.
“Buxheti ka kapur vlerën prej 3 miliardë e 314 milionë euro, që është buxheti më i madh që ka pasur Kosova ndonjëherë. Nga fillimi i mandatit në vitin 2021 buxheti është rritur 35%”, ka thënë Kurti në mbledhjen e 53-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Kurti foli edhe për dialogun që po zhvillohet në Bruksel dhe raportet me Serbinë.
“Me qeverinë e VV-së ne kemi arritur një marrëveshje të re që flet për integritetin territorial të Kosovës si shtet sovran, të cilit dokument Serbia po i ikë, po refuzon ta nënshkruaj e javën që po lëmë pas edhe zyrtarisht bëri të ditur se nuk do ta zbatojë në plotni”, tha Kurti.