
E diela sjellë emisionin “Kampionët” në ekranet e shikuesve.
Për të folur rreth selektorit të ri të Kosovës e Superligës, të ftuar në studio janë: Bekim Isufi, Muhamet Dragusha, Artan Osmani dhe Taulant Dajaku.
Në lidhje direkte është i ftuar edhe Muharrem Sahiti, drejtor i kombëtares së Kosovës.
Nga debati për selektorin e ri të Kosovës, Taulant Dajaku e drejtori i kombëtares së Kosovës, Muharrem Sahiti kaluan një debat të ashpër mes tyre, duke akuzuar njëri-tjetrin.
Së pari, Dajaku ‘ngacmoi’ Muharrem Sahitin, duke e pyetur se a do të japë dorëheqje pas “skandaleve” në FFK që përfshijnë vetë Sahitin, siç thotë ai.
“Pyetja ime është se a do japë dorëheqje Sahiti pas këtyre skandaleve që e përfshijnë atë dhe pas dështimeve të Kosovës në kualifikimet e fundit” – tha Dajaku.
Pyetjes së tij, ai iu përgjigj, duke devijuar debatin në kohën kur Dajaku ka qenë drejtor sportiv te Drenica.
“A të kujtohet kur ke qenë drejtor sportiv te Drenica? Ke dashur ta shfrytëzosh emrin e klubit për të mira personale dhe ke shfrytëzuar emra të mëdhenj të klubit të Drenicës” – tha Sahiti.
Në akuza tjera, Sahiti i kujtonte Dajakut kohën kur ai kishte pritur mbi një orë për një takim me kryetarin e FFK-së, Agim Ademi.
Dajaku i përgjigjej me akuza tjera të reja, duke i thënë se Sahiti paguhet më shumë në Federatën e Futbollit të Kosovës sesa Vjosa Osmani në Presidencën e Kosovës./Gazeta10/