
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka bërë të ditur se brenda kësaj jave do të del në dëgjim publik Ligji për Pagat.
Kryeziu në Info10 po ashtu, e ka quajtur kërkesë arbitrare atë për 100 euro të sindikatave karshi Qeverisë së Kosovës.
“I gjithë organizimi sindikal është në Kosovë reduktohet në kërkesë 100 euro, sepse gjithçka tjetër është përgjegjësi automatike e Qeverisë. Unë mendoj që kjo është shumë e dëmshme nëse e reduktojmë organizimin sindikal në një kërkesë arbitrare për 100 euro shtesë, sado që unë e kuptoj që është e nevojshme”, tha Kryeziu në Info10.
Zëdhënësi i Qeverisë për grevat e kaluara nga sindikatat në qeveritë e kaluara, tha se asnjë prej kërkesave nuk është plotësuar efektivisht nga ato qeveri.
‘Herave të kaluara kur janë ndalur grevat, a më tregoni se cila kërkesë prej kërkesave është plotësuar efektivisht në atë moment? Herën e kaluar grevat janë dakorduar për ta procedurar Ligjin për Pagat. Edhe ne zotimin po e bëjmë, në këtë javë del në dëgjim publik, do ta shohin të gjithë, do ta shihin edhe sindikatat e do ta jepin mendimin e tyre”, tha më tej Kryeziu. /Gazeta10