
Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, dhe kapiteni, Amir Rrahmani, pranojnë se Hungaria është kundërshtare e vështirë për t’u mposhtur. Por Foda dhe Rrahmani besojnë se Kosova ka gjasat e saj në ndeshjen miqësore ndaj Hungarisë.
Ndeshja Hungari – Kosovë luhet të martën në stadiumin “Pushkash Arena” në Budapest nga ora 19:00.
Trajneri gjerman i Kosovës në konferencën për media tha se mezi pret përballjen ndaj hungarezëve në stadiumin që pritet të jetë i mbushur plotësisht.
“Jemi duke u përgatitur për ndeshje mjaft të rëndësishme. Kemi fituar ndaj Armenisë me epërsi minimale, por ka mundur të jetë fitore më e thellë. Megjithatë shënuam fitore, ndërsa tani na pret një ndeshje tjetër e rëndësishme. Mezi presim të paraqitemi në ndeshjen kundër Hungarisë në një stadium që pritet të jetë i mbushur”, ka thënë Foda.
Foda ka vlerësuar lojtarët e tij. Ka thënë se Kosova ka treguar paraqitje të mirë ndaj armenëve. Kosova e mposhti në Armeninë në Jeravan me rezultat 1:0, të premten.
“Nuk do të jetë e lehtë, luajmë kundër një ekipi shumë të fortë. Ne zhvilluam ndeshje të mirë ndaj Armenisë, kemi skuadër që ka aftësi teknike. Por do të jetë e vështirë përballja ndaj Hungarisë që udhëhiqet nga një trajner që ka treguar paraqitje të mira siç është Marco Rossi. Ne mbesim skuadër e fortë dhe kemi besim te grupi ynë”, është shprehur Foda.
Kosova në qershor luan miqësoret e radhës, kurse në shtator fillon ciklin e ri në Ligën e Kombeve.