
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se vendimin për moslejimin e marshimit LGBTI në Serbi mund ta ndryshojë gjykata por jo edhe ambasadorët, raporton Gazeta10.
Vullin ka thënë se ky cendim është marrë në përputhje me ligjin si dhe në bazë të vlerësimit të personalit profesional.
Tutje, duke iu referuar rekomandimeve ndërkombëtare për këtë temë, Vullin ka thënë se presioni mbi drejtësinë nuk është në përputhje me vlerat e Perëndimit.
“Në përputhje me ligjin, në bazë të vlerësimit të personelit profesional, Ministria e Punëve të Brendshme ka marrë vendim për ndalimin e të dy shëtitjeve dhe ka konfirmuar vendimin në shkallë të dytë. Vendimin e MPB-së mund ta ndryshojë vetëm gjykata, por ambasadorët jo. Presioni mbi drejtësinë nuk është në përputhje me vlerat e shpallura të Bashkimit Evropian për të cilat ne përpiqemi me kaq këmbëngulje dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të ishte e mundur që asnjë ambasador të shprehte shpresën se autoritetet kompetente shtetërore do të veprojë në përputhje me bindjet ose qëndrimet e tij”, ka thënë ai.
Tutje, Vullin ka thënë se Serbia i dëgjon të gjithë me kujdes por se në fund respektohet vetëm ligji dhe qytetarët e saj.
“Në Serbi respektohet ligji dhe kujdeset për interesat e Serbisë, të gjithë të tjerët do të dëgjohen me respekt, por vetëm ligji dhe vetëm qytetarët tanë do të respektohen. MPB rithekson qëndrimin e saj se nuk do të ketë marshime që mund të çojnë në konflikte të kota dhe të panevojshme që mund të jenë të dëmshme për interesat e Serbisë dhe qytetarëve tanë, besoj se këtë shpresojnë ambasadorët e respektuar Hill dhe Giofre”, tha Vulin. / Gazeta10