
Para vjeshtës nuk pritet të ngrihet ndonjë aktakuzë për rastin e sulmit në Banjskë. Në atë kohë do të bëhet një vit që kur grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës në këtë fshat në veri, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-politikan dhe biznesmen nga veriu i Kosovës, i cili besohet se gjendet në Serbi.
Hetime, paralelisht, është duke kryer edhe Prokuroria e Lartë Publike në Beograd.
Siç raporton REL, “punët rreth rastit janë në fazën finale” dhe se “hetimet në rastin e Radoiçiqit kanë marrë epilogun përfundimtar”.
Ndërsa Radoiçiq besohet të jetë i lirë në Serbi, në Kosovë janë të ndaluar tre persona në lidhje me rastin.
Se ku saktësisht ndodhet Radoiçiq, nuk është e qartë, por presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha pas sulmit se ai gjendet në “territorin e Serbisë qendrore”.
Autoritetet shtetërore në këtë vend i hodhën poshtë akuzat e bëra nga udhëheqësit e Kosovës se qëndrojnë prapa “sulmit terrorist” të 24 shtatorit në Banjskë.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd e ngarkon atë me disa vepra penale që kanë të bëjnë me blerje të paligjshme të armëve dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.
Në fillim të tetorit, Gjykata e Lartë në Beograd e refuzoi kërkesën e Prokurorisë për ndalimin e tij dhe e la të lirë, por ia konfiskoi pasaportën dhe ia ndaloi shkuarjen në Kosovë.
Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se “hetimet janë duke vazhduar”.
“Në këto hetime, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd bashkëpunon me Ministrinë e Punëve të Brendshme, Drejtorinë Doganore dhe organet tjera shtetërore të Republikës së Serbisë, ndërsa për të konstatuar gjendjen e plotë faktike – përmes Ministrisë së Drejtësisë – ka kontaktuar edhe EULEX-in [Misionin e BE-së për sundim të ligjit në Kosovë”.
“Nga EULEX-i është kërkuar dokumentacion lidhur me ngjarjen kritike të 24 shtatorit 2023, në Banjskë. Dokumentacioni, deri më sot, nuk është dorëzuar”, thuhet në deklaratë.