Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Kurti fjalim për Gjuhën Shqipe, në hapjen e Seminarit të Mësimdhënësve të Mërgatës

Gazeta10
18 July 2024 - 21:52

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen hapëse të Seminarit të 17-të të Mësimdhënësve të Mërgatës.

Në fjalën e tij, Kurti theksoi rëndësinë e punës dhe përkushtimit të mësimdhënësve në mësimin e gjuhës amtare dhe të njohurive mbi kulturën tonë te fëmijët e diasporës, ka njoftuar zyra e kryeministrit.

“Ne flasim shpeshherë për diasporën, jemi falënderues për ndihmesën që ka dhënë për atdheun, sidomos në kohën për çlirimin e Kosovës. Qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë organizojnë shpesh takime me pjesëtarë të shquar të diasporës dhe të dy shtetet kanë institucione që merren posaçërisht për të mbajtur gjallë interesimin e diasporës për vendin e origjinës. Mirëpo, në të vërtetë puna jonë në atdhe për të fuqizuar lidhjet me diasporën nuk do të jepte shumë fryte, po të mos ishit ju, që jetoni e punoni në gjirin e komuniteteve shqiptare të shpërndara në Evropë, Amerikë të Veriut dhe në pjesë të tjera të botës”, tha Kurti.

“Roli juaj sot nuk është më i pakët nga ai i rilindasve tanë para më shumë sesa një shekulli. Nëse rilindësit zhvilluan shkrimin shqip dhe hodhën farat dhe ndihmuan që të çelnin sythat e parë të kulturës sonë kombëtare në diasporën e atëhershme, dhe më pas e sollën atë që të lulëzonte në atdhe, ju me anë të veprimtarive, sikurse kjo e sotmja, përgatiteni më mirë për të përcjellë filiza të shqiptarisë në dhe të huaj që edhe aty të gjallojë kultura shqiptare, krahas kulturave vendase. Ky është një proces dialektik, diasporë-atdhe-diasporë, që do të jetë shumë i rëndësishëm edhe gjatë shekullit tonë të globalizimeve, integrimeve politike dhe afirmimit të kulturave kombëtare.” tha kryeministri.

“Në detyrën time si Kryeministër i Republikës së Kosovës, si drejtues i qeverisë, angazhohem që mbështetja e institucioneve tona të mos mungojë asnjëherë dhe të vijë duke u rritur. Ju uroj një seminar të suksesshëm në Prishtinë dhe arritje më të mëdha, gjithnjë e më të mëdha në detyrën tuaj fisnike!” përfundoi fjalën e tij kryeministri Kurti.

Më të lexuarat
Nga Rubrika
Lajme
09 June 2026

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.