
Përjashtimi nga grumbullimi i treshes së kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, Arijanet Muric dhe Florent Muslija ishte temë e diskutimit në emisionin Kampionët edhe kësaj të diele.
Ish-futbollisti Blendi Memaj deklaroi në emision se këta tre futbollistë është dashur të dënohen, por jo në atë formë siç e bëri FFK-ja me komunikatë publike.
Tutje, sipas Memajt këta tre futbollistë janë të pazëvendësueshëm te “Dardanët”, e sidomos Edon Zhegrova, i cili cilësohet si Lionel Messi i Kosovës.
“Produkti final është që ti po mbet pa tre futbollistë kyç, e njëri nga ta është më i miri i kombëtares e që është Edon Zhegrova. Këta tri indivë për mendimin tim janë të pazëvendësueshëm te Kosova. Qipro nuk është nivel i Rumanisë dhe ne nuk mund të themi tani se bën pa Muricin, Zhegrovën apo Muslijën. Nuk bën pa këta tre futbollistë, sepse ne pastaj jemi shumë më të dobët. Është njëjtë sikur Argjentina të jetë pa Messin. E them me bindje të plotë se Edon Zhegrova për Kosovë është Lionel Messi”, tha Blendi Memaj.
Edon Zhegrova, Florent Muslija dhe Arijanet Muric u përjashtuan nga grumbullimi pasi thyen rregulloren e vendosur nga trajneri Franco Foda.