
Malisheva e ka nisur për mrekulli edicionin e ri në Superligën e Kosovës.
Të drejtuar nga Bekim Isufi, Malisheva nuk di për humbje në këtë fillim të sezonit, duke shënuar tri fitore dhe një barazim.
I ftuar në emisionin Kampionët, Liridon Kozhani deklaroi se Malisheva këtë edicion është njëri nga pretendentët kryesorë për titullin kampion.
“Malisheva këtë edicion është pretendente për titullin kampion. I kam parë dy ndeshje të Malishevës, kundër Ballkanit dhe Llapit dhe me ato dy ndeshje më kanë dhënë një bindje të fuqishme se kjo skuadër do të luftojë për titullin kampion. Ekipi nuk është i varur vetëm nga Drilon Hazrollaj apo Etnik Brruti, por ka shumë lojtarë me cilësi të jashtëzakonshme që mund të bëjnë diferencën”, deklaroi Kozhani.
Ndeshjen e ardhshme, Malisheva e luan kundër Dritës, në përballjen e mbetur të xhiros së parë.