
Këtë të martë në emisionin “Politiko” me Kushtrim Sadikun po diskutohet për bisedat mes shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilës dhe ish-shefit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Sllavko Simiq, e të ftuar janë analistët Blerim Gashi, Halil Matoshi, Branislav Kërstiç, Viktor Buzhala dhe Fatime Hajdari.
Gazetari dhe njëherësh analisti politik, Halil Matoshi ka kritikuar Kusari-Lilën për bisedat me Simiq, teksa ka shtuar se qeveria Kurti ka rënë në kontraditë me veten, pasi më herët qëndrimet e tyre kanë qenë ndryshe nga ç’janë sot.
Ai ka rikujtuar momentet kur qeveritë e tjera takoheshin me Radojçiqin, e që sipas tij, Vetëvendosja ishte krejtësisht kundër atyre takimeve, duke thënë se “ata nuk kanë lënë gjë të zezë pa thënë për Radojçiqin në të kaluarën”.
“Kur liderët e politikës e kanë pritur zyrtarisht Radojçiqin si lider të Listës Serbe, njeri i fuqishëm padyshim atje dhe i cili nuk ka pasur ende aktakuzë e as nuk ka qenë në listën e zezë të SHBA-ve, qekjo Mimozë, e qeky Albin, e qeky Glauk dhe qekjo Dejonë nuk kanë lënë gjë të zezë pa thënë për Radojçiqin”, tha Matoshi në “Politiko” me Kushtrim Sadikun. /Gazeta10/