
Ndihmëssekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, në “Politiko” me Kushtrim Sadikun, ka thënë se me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin kanë biseduar për disa orë për përparimin ekonomik të Kosovës.
O’Brien theksoi se është e rëndësishme që Kosova të mos anashkalohet, por të jetë pjesë e diskutimeve dhe garës që po zhvillohet nga shumë vende për investime të reja.
“Ballkani Perëndimor ka mundësi të arta për të integruar ekonominë e vet, por edhe për t’iu bashkuar tregut të njësuar evropian, që shkon me planin e rritjes së Ballkanit Perëndimor, i cili ofron mundësi për të tregtuar me energji, me mallra dhe shërbime të ndryshme në tërë Evropën. Ky është motori që e shtyn rritjen e ekonomisë në mënyrë dramatike, andaj më vjen shumë mirë që Kosova është bërë pjesë e këtij komuniteti”, tha O’Brien në “Politiko”.
Ai theksoi se me Kurtin kanë biseduar gjithashtu për mundësitë që Kosova të ecë më shpejt drejt Evropës.
O’Brien tha se SHBA është e vetëdijshme që po arrihet përparim në integrimin e serbëve, porse shtoi se me Kurtin kanë biseduar pikërisht për qasje të ndryshme që duhet të ndërmerren tash e tutje.
“Biseduam se si të ecet më shpejt drejt Evropës. E dijmë se po arrihet përparim në integrimin e qytetarëve në veri, veçanërisht komunitetit serb, prandaj diskutuam për qasje të ndryshme, të cilat mund të ndërmerren”, tha ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë. /Gazeta10/