
Ndihmëssekretari amerikan i shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka qëndruar këtë të hënë për vizitë zyrtare në Kosovë, me ç’rast ka zhvilluar takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri e ka cilësuar O’Brien si njeri të butë, i cili ka zënë vend në pozita të rëndësishme diplomatike amerikane.
“Pesha e tij është jashtëzakonisht e madhe, O’Brien ndihmëssekretar sot ka qenë në pozita në diplomacinë amerikane jashtëzakonisht të rëndësishme. Njihet për urtësinë e tij, veprimet diplomatike të buta por me butësinë e tij z.O’Brien Jugosllavinë e ka bombardu për 78 ditë pas një lufte 10 vjeçare që të drejtat e shqiptarëve të Kosovës nuk mund të dhunohen në mënyrën se si janë dhunuar atë herë”, deklaroi Haziri.
Tutje, ai foli edhe për lidhjen e O’Brien me popullin e Kosovës.
“Edhe deputetja e përmendi, raportin me popullin e Kosovës nuk i harron asnjëherë sepse këto raporte i ka ndërtuar në shpëtimin kolektiv, ai është një prej njerëzve qe e ka shpëtu kolektivisht Kosovën”, shtoi ai. /Gazeta10