Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

‘Uroj të mos bëhet skllotë’- Statusi i famshëm me borë i Hashim Thaçit, nis të komentohet prapë

Gazeta10
21 November 2024 - 14:25

Shumë qytete të Kosovës tanimë janë mbuluar nga bora e parë. Natyrisht, prej gjërave të para që të bie ndërmend, është statusi i Hashim Thaçit, ish-president i Kosovës.

Ndonëse është shkruar para pesë viteve, më saktësisht më 2019, shkrimi i Thaçit tashmë ka një stauts historik. Statusi ishte jashtëzakonisht i shkurtër, por që kishte bërë bujë të madhe.

Thaçi kishte shkruar dy fjali, duke uruar që bora, që kishte filluar të shkrihej shpejt, të mos bëhej skllotë.

“Bora ka zënë të shkrihet shpejt…

Uroj të mos bëhet skllotë! HTH” – ishte shkrimi i Thaçit që sot, pesë vite më vonë, tingëllon enigmatik.

Pesë vite më parë, ish-presidenti i Kosovës kishte zgjedhur metaforën më borë për të komentuar rrjedhat politike të vitit 2018. Duke shkruar në muajin janar, që në atëkohë kishte rënë goxha borë, Thaçi kishte dhënë një qëndrim mbi zhvillimet në skenën politike, që mbisundohej nga kundërshtia e tij me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj e kryeministrin e tanishëm Albin Kurti.

Thaçi kishte zgjedhur që të komentonte në këtë formë deklaratat për korrigjimin e kufijve e taksën 100 për qind, të cilën e kishte vendosur Haradinaj, që ishte kryeministër i Kosovës atëbotë. Deri më sot, për një gjysmë dekade, shkrimi i Thaçit ka marrë saktësisht 10 mijë pëlqime.

Sigurisht, ky postim kishte ngjallur shumë reagime dhe vazhdon të komentohet edhe sot. Madje, shkrimi i Thaçit ka hyrë edhe në diskursin popullor e politik, duke u përmendur nganjëherë.

Ndërsa sot pas borës së parë në Prishtinë e rajone tjera të Kosovës, statusi i Thaçit ka nisur të komentohet sërisht./Gazeta10

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.