
Portieri i Trepçës ’89, Prince Marly, është shpallur “Ylli i Javës” në xhiron e tetë të Albi Mall Superligës së Kosovës, raporton Gazeta10.
Marly arriti t’a mbajë portën e paprekur në fitoren e Trepçës ’89 ndaj Dukagjinit me rezultat 3-0.
Ai gjatë lojës u tregua shumë i shkathtë në 5 intervenime kyçe, të cilat ndikuan në rrjedhën e lojës.
Pasi mori çmimin, Prince theksoi se ndihet shumë i vlerësuar, teksa u shpreh se pret shumë nga skuadra e tij në këtë edicion.
“Jam shumë i lumtur të pranoj sot trofeun e më të mirit të xhiros. Si futbollist i Trepçës ‘89, pres që si ekip i mirë dhe i kompletuar që jemi të fitojmë kampionatin dhe pse jo të jemi pjesë e Ligës së Kampionëve në vitin e ardhshëm. Me këtë rast dua të falënderoj shumë stafin dhe bashkëlojtarët për këtë trofe, sepse pa kontributin e tyre ky çmim do të ishte i pamundur të fitohej”, ka theksuar Marly.
Pas paraqitjeve pozitive për klubin mitrovicas, Marly Prince ishte grumbulluar me Kombëtaren e Kongos për ndeshjet e shtatorit. /Gazeta10/