Aktivisti, Arbër Gashi duke folur për konvertimet fetare në Kosovë, ka thënë se një gjë e tillë po bëhet me vullnet të lirë, duke shtuar se qytetarët po pagëzohen për të treguar se ne jemi zanafilla e qytetërimit evropian.
“Shumica po e bëjnë me vullnet të lirë, nuk ka nxitje, nuk ka diçka që do të mund të kontestohej nga shoqëria, këta po e bëjnë pagëzimin me interes të plotë për vetveten të vetëdijshëm për të kaluarën dhe për historinë, por edhe me një sy drejtuar së ardhmes, jo por tu shtir ndaj Evropës por për të treguar se ne jemi zanafilla e këtij qytetërimi, zanafilla e qytetërimit të këtij kontinenti në të cilin shqiptarët kërkojnë vendin e tyre”, ka thënë Gashi në emisionin “Dita e re” në Kanal10.
E ndaj kësaj deklarate ka reaguar Imami Vila, i cili tha se kjo është propagandë dashakeqe ndaj popullit të Kosovës, teksa ka hedhur akuza ndaj Gashit se dëshiron t’i qes hoxhollarët nga sistemi.
“Ne i kemi përcjellur këto gjëra dhe mendoj që nuk është diçka që lënë gjurmë në shoqërinë tonë, sepse shoqëria jonë është një shoqëri e hapur dhe progresive, njerëzit sot lexojnë mësojnë edhe dinë, mirëpo kjo që potencoj parafolësi im edhe gjërat që postohen në rrjetet sociale janë një propagandë dashakeqe ndaj popullit e shtetësisë së Kosovës e më e keqja është ndaj të ardhmes. Ky edhe po zgërdhihet këtu në studio se ka qejf me i qit hoxhollarët prej sistemi, mirëpo unë jam në gjendje me debatu se ky është një fanatik i cili mundohet me stëpikë me ujë të trubullt mirëpo nuk e ka gjendur vendin, sepse Kosova është shtet me popullsi 95 për qind myslimane”, ka thënë Vila. /Gazeta 10/