
Raporti: Bleona Dallaveraj/Kanal10
Njohësit e ekonomisë dhe partitë opozitare në vend kanë kërkuar nga ekzekutivi të marrë vendim për uljen e TVSh-së për produktet bazike, si masë për zbutjen e krizës ekonomike në vend. Sipas tyre, mungesa e bashkëpunimit me bizneset, do të ketë efekte negative në imazhin e Kosovës dhe në nxitjen e investimeve të jashtme, shkruan Kanal10.
Përkundër rritjes së çmimeve në secilin sektor dhe kërkesave të vazhdueshme për veprime nga ana e Qeverisë, kjo e fundit deri më tani nuk ka bërë ndonjë hap para.
Një nga kërkesat për zbutje të krizës ka qenë ulja e TVSH-së, sidomos tek produktet bazike.
Ndërkohë, ish-kryeministri dhe tash deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka propozuar disa nga masat, të cilat sipas tij ekzekutivi do të duhej t’i merrte parasysh e të cilat nuk do të paraqisnin problem për deficitin buxhetor.
Hoti ka thënë se Qeveria aktuale është përgjegjëse edhe për zvogëlimin e qarkullimit në ekonomi.
“Kjo qeveri jo vetëm që nuk po ul tatimet, por po e zvogëlon qarkullimin në ekonomi edhe duke mos implementuar qindra miliona euro investime kapitale. Sikur të ishin futur në ekonomi qindra miliona euro përmes projekteve kapitale, krahas uljes së tatimeve, do të rritej kërkesa agregate dhe do të parandalohej thellimi i krizës”, ka thënë ndër të tjera Hoti.
E njohësi tjetër i ekonomisë Safet Gerxhaliu problem në zhvillimin ekonomik të vendit dhe mungesën e politikes së tërheqjes së investimeve të huaja direkte e sheh tek mungesa e bashkëpunimit mes qeverisë dhe bizneseve që janë aktive në Kosovë.
Ai shprehet se kriza ekonomike në Kosovë e ka një hov rritës, e cila po ndikon edhe në aspektin social. /Gazeta10