
Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës është shprehur e shqetësuar lidhur me mosekzekutimin e pagave për të punësuarit në arsim nga ana e qeverisë së Kosovës.
Këtë veprim të qeverisë, SPAK-u e konsideron tepër të rrezikshëm dhe tendencë për frikësim, shantazh dhe diskriminim të drejtpërdrejtë në raport me të punësuarit e tjerë.
“Ndalja e pagës është shkelje ligjore dhe ky konstatim tashmë u vërtetua nga të gjithë ata që i njohin ligjet e Republikës së Kosovës dhe mënyrat se si duhet të funksionojë shteti ligjor dhe sistemi i demokracisë”.
Sipas kësaj sindikate, kjo tendencë e qeverisë paraqet rrezik për demokracinë, prandaj kërkohet ndërprerja e menjëhershme e këtyre praktikave joligjore dhe jodemokratike.
“Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që sa më parë të ekzekutojë pagat e sektorit të arsimit dhe njëkohësisht të ulet me sindikatat që t’i diskutojë kërkesat legjitime dhe të bëhen zgjidhje me përfaqësim të dyanshëm”.
Më tej, bëhet e ditur se SPAK-u qëndron fuqishëm përkrah SBAShK-ut./Gazeta10