
Raporti Gresa Bardhecaj/Kanal10
Shefi i ekzekutivit të vendit, Albin Kurti, është shprehur optimist për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Nga Prishtina, Kurti ka thënë se diskutimet për marrëveshjen përfundimtare kanë nisur nga takimi i 18 gushtit, pa dhënë më shumë detaje. Për këtë proces, pozita dhe opozita kanë qëndrime të ndryshme, derisa njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare, nuk presin finalen pa rritjen e presionit ndaj palës serbe, shkruan Kanal10.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është shprehur optimist se mes Kosovës dhe Serbisë do të ketë një marrëveshje finale.
Në seminarin e 102-të të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, shefi i ekzekutivit, ka thënë se në takimin e 18 gushtit tema e parë e bisedimeve ishte korniza e përgjithshme e marrëveshjes.
Megjithatë, pozita dhe opozita kanë qëndrime të ndryshme sa i përket çështjes së dialogut mes dy vendeve.
Nga ana tjetër, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare nuk presin që dy vendet të arrijnë një marrëveshje finale këtë vit.
Njohësi i këtyre proceseve, Dritëro Arifi, ka thënë se finalja nuk ndodh pa rritjen e presionit ndaj palës serbe, caktimi i afateve kohore dhe temat konkrete.
Gjatë tetorit është paralajmëruar një takim i radhës në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, teksa ende nuk është dhënë ndonjë datë e saktë e këtij takimi. /Gazeta10