
Për herë të parë këtë të martë, është dëgjuar zëri i Kosovës, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, në fjalimin e saj ka shprehur mbështetjen e Kosovës për Ukrainën. Ndërkaq, deputeti ukrainas u ka bërë thirrje të gjitha shteteve që ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Raporti: Viola Korça
Kosova pret që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, por para një vendimi të tillë, zëri i saj ka arritur që të dëgjohet në këtë mekanizëm evropian.
Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të martën, Kosova ka pasur për herë të parë të drejtën e fjalës.
Përfaqësuesja e Kosovës, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, në fjalimin e saj ka shprehur mbështetjen e vendit për Ukrainën.
Bogujevci ka thënë se i kupton mirë vuajtjet e ukrainasve, pasi edhe vetë është e mbijetuar e një masakre.
Bogujevci ka thënë se Kosova është Evropë dhe se vendi nuk mund të ketë të ardhme tjetër.
Pjesëmarrjen dhe fjalimet e saj janë mirëpritur nga përfaqësues të disa shteteve tjera, duke shprehur edhe përkrahje për aspiratën e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës.
Ndërkaq, deputeti ukrainas, Oleksiy Goncharenko, në shqip ka thënë se Kosova është Evropë, derisa u bëri thirrje të gjitha shteteve mosnjohëse që të njohin pavarësinë e Kosovës.
Kosova më 12 maj ka aplikuar për anëtarësim në këtë mekanizëm evropian./Gazeta10