
24 orët e fundit në vend tronditën opinionin pas vdekjes në rrethana të dyshimta të një 27 vjeçari në qytetin e Lipjanit.
Mes reagime të shumta, edhe avokati Taulant Hodaj teksa komentoi pamjet e publikuara në media, tha se qasja e pesë zyrtarëve policor nuk ishte profesionale.
Sipas tij, ato e dëshmojnë edhe nevojën e shtuar për më shumë trajnime në situata të ngjashme.
“Janë pamje shqetësuese, së pari ngushëllime familjes së të ndjerit, edhe policët që kanë qenë aty nuk është se e kanë dashtë këtë rezultat. Pamjet shpërfaqim se kemi një problematikë në Policinë e Kosovës. Nuk mendoj se duhet të përgjthësohet sepse Policia është një ndër institucionet më të besueshme dhe profesionale në rajon. Nuk është rasti i parë, tani më po raportohen me kamera e paramendo se çka ndodh jashtë kamerave, e që tregojnë se ka mungesë së profesionalizmit dhe trajnimit në këto raste. Policët duhet ta luajnë pak rolin e psikologut, të dinë se si të qasen, por shihet qartë se nuk ka veprime profesionale, njëri polic vrapon, njëri rri e këqyr, e pastaj dhuna e tepruar që nuk arsyetohet me asnjë gjë“, tha ai në emisionin Gazeta të Kanal10.