
Deputetja e Nismas, Xhevahire Izmaku ka konfirmuar pretendimet se kjo parti në bisedime për tejkalim të ngërçit politik me lëvizjen Vetvendosje vazhdon ta kërkoj postin e të parit të Kuvendit.
Sipas Izmakut, kreu i Nismas, Fatmir Limaj është personi adekuat për atë pozitë teksa thotë se bisedimet ende po vazhdojnë.
“Jemi në orët e fundit, por kemi mbetur po në atë nivel të bisedimeve të cilat filluan e takimi i fundit përfundoi të shtunën ndërsa nuk kemi një komunikim tutje për zhvillim të ri. Jam ende optimiste që partia e parë mundet me reflektu edhe me pa realitetin se si figuron, numrat janë këta që janë, Nisma është faktor, faktor i rëndësishëm brenda politikës në vend. Ne kishim një orientim e vullnet pozitiv që të jemi pjesë e zgjidhjes së problemit e mos të bëhemi pjesë e problemit“, tha ajo.
Sipas saj, Nisma me tre deputetë dëshiroi të kontribonte në dalje nga ngërçi.
“Me këta tre numra kemi dashtë që vendit tia mundësojmë daljen nga ngërçi politik. Mendoj që z.Limaj është figura e përshtatshme jo vetëm për të udhëhequr vendin nga pozicioni i Kuvendit mirëpo edhe për të dal nga kjo krizë. Kjo është mundësi për partneritet dhe mundësia më e mirë që i ofrohet vendit“.