Kontaktoni

info@gazeta10.com

Lajme

Polici shqiptar Kladi Mustaj shpëton guximshëm personat e aksidentuar në rrugën Levan-Fier, nderohet nga shteti

Gazeta10
09 August 2025 - 16:05

Policia e Shqipërisë ka nderuar për Shërbime të Dalluara, policin Kladi Mustaj, pasi i njëjti ka bërë një ndërhyrje të guximshme dhe ka shpëtuar jetën e tre qytetarëve të cilët ishin aksidentuar në rrugën Levan-Fier.

Policia shqiptare ka publikuar edhe pamjet kur Mustaj shihet teksa i bartë personat e lënduar dhe i largon nga vendi i aksidentit.

Postimi i plotë:

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, vlerëson dhe falënderon Inspektor Klajdi Mustaj për humanizmin dhe përgjegjshmërinë ndaj qytetarëve dhe detyrës, për ndërhyrjen e guximshme për të shpëtuar tre qytetarë të dëmtuar gjatë një aksidenti në aksin rrugor Levan-Fier.

Për këtë akt guximi dhe përkushtimi në shërbim të jetës së qytetarëve, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, i akordoi punonjësit të Policisë Rrugore, Inspektor Klajdi Mustaj, Certifikatën për Shërbime të Dalluara!

Mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm Ilir Proda:

“Veprimi i Inspektor Klajdi Mustaj tregon më së miri misionin e Policisë së Shtetit: të jemi aty ku qytetarët kanë më shumë nevojë për ne. Guximi, profesionalizmi dhe reagimi i shpejtë i punonjësit tonë në shpëtimin e tre bashkëqytetarëve është shembull frymëzues për të gjithë trupën policore. I shpreh mirënjohjen time dhe të gjithë Policisë së Shtetit për këtë akt human e profesional. Faleminderit për guximin dhe zemrën e madhe që tregove në shërbim të qytetarëve.

Angazhimi, përkushtimi, profesionalizmi, sakrifica, ndershmëria dhe humanizmi duhet të jenë motoja jonë në përmbushjen e detyrës, fytyra dhe imazhi i ri i Policisë së Shtetit.”

Inspektor Klajdi Mustaj është pjesë e Policisë së Shtetit prej shkurtit 2024, kur përfundoi Kolegjin Profesional për Patrullë të Përgjithshme. Ka përfunduar studimet për Shkencat Juridike (Bachelor) dhe aktualisht vazhdon studimet për Master.

Më të lexuarat
Nga Rubrika

Gazeta10, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.