
Raporti Gresa Bardhecaj/Kanal10
Tetori është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin në gji. E pikërisht këtë të diel në kryeqytet është organizuar ecje dhe vrapim nga organizata “Race for the Cure”. Në këtë aktivitet morën pjesë gratë dhe vajzat që e kanë mposhtur kancerin në gji, teksa për gratë që ende luftojnë me këtë sëmundje, janë mbledhur fonde nga shitja e gjërave të ndryshme për t’u ndihmuar financiarisht trajtimin shëndetësor, shkruan Kanal10.
Gratë nga të gjitha komunat e Kosovës, u mblodhën në sheshin “Zahir Pajaziti”, për të mbështetur njëra-tjetrën pas përballjes me kancerin në gji.
Të veshura me ngjyrën rozë, në fytyrat e grave që mposhtën këtë sëmundje, reflektonte energjia pozitive e lumturia.
Madje, nga dashuria për jetën dhe siç thonë ato, arsyet për të jetuar, ia hedhën edhe valles.
Edhe organizata të ndryshme, u dolën në mbështetje duke mbledhur fonde nga shitja e gjërave të ndryshme, që më pas do t’u dedikohen grave që janë diagnostikuar me kancer në gji.
Një ndër to ishte edhe organizata “Have Hope” që së bashku me nxënësit e shkollës finlandeze, kishin përgatitur ushqime dhe piktura kushtuar të mbijetuarave të kancerit.
Kurse një pikturë të tillë, për t’u solidarizuar me kauzën dhe gratë, e bleu edhe Valbona Deliu, e cila kishte ardhur nga komuna e Vitisë.
Kurse, Armela Statovci që e luftoi këtë sëmundje, ka thënë se ka ardhur nga Zvicra për t’i përkrahur gratë dhe vajzat.
Drejtoresha e “Race for the Cure”, e cila ka organizuar këto aktivitete, ka thënë se interesimi për të kontribuar ka qenë i jashtëzakonshëm.
Në mbështetje për gratë e prekura nga kanceri doli edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama.
I gjithë organizimi është përmbyllur me një vrapim nga mbështetësit e kësaj kauze dhe me një ecje përgjatë rrugëve të kryeqytetit nga gratë që e kanë tejkaluar këtë sëmundje. /Gazeta10