
Në Kampin Film City në Prishtinë u mbajt sot ceremonia e ndërrimit të komandës së KFOR-it në Kosovë. Gjenerali i Ushtrisë Italiane, Enrico Barduani ia dorëzoi këtë post, gjeneralmajor Ozkan Ulutashit.
Të pranishëm në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it në Kosovë ishin presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeparlamentari Dimal Basha e kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Në fjalën e saj, e para e shtetit shfaqi edhe një herë aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, duke thënë se Kosova gjithnjë është rreshtuar me vlerat e lirisë, demokracisë dhe sigurisë së përbashkët.
“Kjo është arsyeja pse aspirata jonë për tu anëtarësuar në NATO nuk është vetëm një zgjedhje strategjike, por pasqyrë e asaj se kush jemi”, tha Osmani.
Ndërsa, gjeneralmajori i Ushtrisë Italiane, Enrico Barduani, në fjalën e tij të fundit në krye të KFOR-it tha se edne ka shqetësime në aspektin e sigurisë për shkak të “disa çështjeve të pazgjidhura”.
“Ende ka shqetësime për humbjen e sigurisë si shkak i disa çështjeve të pazgjidhura dhe për këtë arsye, roli i KFOR-it mbetet thelbësor dhe kritik për tu parë si pjesë integrale e angazhimit të mëtejmë të bashkësisë më të gjerë ndërkombëtare”, tha Barduani.
Tutje, ai u shpreh se NATO vazhdon ta mbështes dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, teksa potencoi se rruga drejt paqes dhe sigurisë nuk është ushtarake por politike./Klankosova