
Por, vendosja e çmimeve tavan për produktet esenciale është kundërshtuar nga partitë opozitare. Nga PDK-ja dhe AAK-ja, kanë hedhur kritika për dy projektligje që të enjten do të shqyrtohen në Kuvendin e Kosovës, ai për mbështetjen e punëve publike dhe Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore. Por, nga partia në pushtet kanë thënë se me këto nisma kompensohen dëmet në disa kategori.
Raporti: Kanal10
Dy projektligje do t’i kenë në shqyrtim deputetët e Kuvendit të Kosovës, në seancën që është caktuar për të enjten.
Ligjvënësit do të diskutojnë lidhur me Projektligjin për mbështetjen e punëve publike dhe Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore.
Këto dy projektligje janë kundërshtuar nga opozita, por sipas Lëvizjes Vetëvendosje, këto nisma do të kompensojnë kontratat publike, rrjedhimisht nxisin investimet kapitale, derisa edhe do të vendosen çmimet tavan për produktet e listës esenciale.
Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se mos efikasiteti i Qeverisë së Kosovës ka sjellë dështimin në investimet kapitale.
Ai ka deklaruar se Projektligji për mbështetjen e punëve publike është i vonshëm dhe se ka ardhur në Kuvend pa konsultim me komuna.
Kritika, Tahiri ka adresuar edhe për Projektligjin për çmimet tavan, për çka ka thënë se bie ndesh me Kushtetutën e vendit.
Kritika për të dy nismat ligjore ka pasur edhe shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, sipas së cilit, Qeveria Kurti do të jetë më e dobëta në histori në raport me investimet kapitale.
Përveç të enjten, Kuvendi Kosovës ka caktuar seancën e radhës për 27 tetor, ku janë paraparë disa pika të rendit të ditës./Gazeta10