
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se dokumentimi i krimeve seksuale nuk është i lehtë, raporton Gazeta10.
Haxhiu ka thënë se shumë vonë institucionet kanë filluar ta trajtojnë seriozisht këtë temë.
Më tej, ajo ka thënë se edhe Kuvendi i Kosovës vonë ka filluar ta njoh statusin e viktimave.
“Shumë vonë pas më shumë se 10 vjet të përfundimit të luftës kanë filluar ta trajtojnë seriozisht. Së pari duke njohur statusin. Kuvendi shumë vonë e ka njohur statusin e viktimave, madje atë ditë ka pasur diskutime qË kanë qenë të papranueshme. Dokumentimi i krimeve seksuale nuk është i lehtë, për shkak se kemi të shprehur mundësinë e ritraumatizimit, sepse nuk është e lehtë teksa një i mbijetuar flet për traumat që ka përjetuar. Për gjithë ne të cilët jemi të përfshirë në këtë proces, qëllim parësor kemi krijimin e një hapësire ku të mbijetuarat ndjehen të sigurta të flasin për përjetimet e tyre. Janë vetëm 62 raste në proces për dhunime seksuale dhe vetëm një dënim për krime lufte”, deklaroi Haxhiu, shkruan KP.
Drejtoresha e QKRMTS-së, Feride Rushiti, ka thënë se duhet të tregojmë se krimet e dhunës seksuale duhe të dokumentohen.
“Kemi arritur që kjo kategori e heshtur të jetë në nivel të barabartë me kategoritë tjera të dala nga lufta. Kosova tani përmes reparacionit administrativ është praktikë e mirë dhe po ndahet edhe në vende tjera. Jemi pikërisht të tregojmë se krimet e dhunës seksuale duhet të dokumentohen, për shkak se grave e burrave iu duhet drejtësi. Këto janë krime që shpesh mbesin pa u dokumentuar. Kryesisht si organizata për të avokuar për ndryshime ligjore është dashur të thirremi në burime ndërkombëtare”, ka thënë ajo.
E ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, ka thënë se të gjithë të mbijetuarit kanë të drejtë për drejtësi dhe se dhuna është krim.
“Të gjitha të mbijetuarit kanë të drejtë për drejtësi dhe kjo nuk është e garantuar, por është element i rëndësishëm për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen. Dokumentimi i ofron viktimave një zë, mbrojtja e viktimave, anonimiteti dhe mbështetja psikologjike. Të luftojmë stigmatizimet e ndryshme. Gjithashtu mendoj edhe për atë që kemi ne të gjitha shoqëritë sistemin patriarkal të vlerave. Është një fenomen global që bie në sistemin patriarkal të vlerave. Dhuna është krim. Viktima është viktimë dhe duhet të ketë mbështetje dhe drejtësi nga institucionet dhe vet familja”. / Gazeta10