Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka takuar shefen e MCC-së, znj.Albright ku me të kanë diskutuar për projektin Kompakt, raporton Gazeta10.
Në komunikatë e ministrisë në fjalë thuhet se ministri Murati e ka falënderuar znj.Albright për mbështetjen e vazhdueshme amerikane në fushën e energjisë.
Tutje, thuhet se ministri i ka shprehur znj.Albright përkushtimin e Kosovës për programin Kompakt.
Ky program zbatohet në kuadër të marrëveshjes mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kap vlerën e 236.7 milion euro.
Këtu keni komunikatën e plotë:
“Ministri Murati priti në takim Shefen Ekzekutive të MCC znj. Albright
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati ka pritur sot në takim Shefen Ekzekutive të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit, Alice Albright.
Përgjatë takimit, Ministri Murati falënderoi drejtoreshën Albright për mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë amerikane në fushën e energjisë, duke shprehur gatishmërinë e tij për të thelluar edhe më tej këtë bashkëpunim. Drejtoresha Albright, në anën e saj, u shpreh se një investim i tillë në Kosovë po bëhet në kohën e duhur, duke konsideruar zhvillimet e fundit me krizën globale energjetike.
Me këtë rast, Ministri theksoi se ministria që ai drejton mbetet e përkushtuar në mbështetjen e projektit Kompakt, i cili është i një rëndësie tejet të veçantë për qëndrueshmërinë e sektorit energjetik në vend, veçanërisht në diversifikimin e burimeve energjetike.
Znj. Albright shprehu gatishmëri të plotë për bashkëpunim të afërt drejt zbatimit sa më të shpejtë të marrëveshjes, dhe theksoi rëndësinë e përfshirjes së grave në fushën e energjisë, siç edhe parashihet me programin Kompakt.
Programi Kompakt zbatohet në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të përfaqësuara nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit dhe kap vlerën prej 236.7 milionë dollarë amerikan”, thuhet në komunikatën e tyre. / Gazeta10