
Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka njoftuar se ndaj të pandehurit Astrit Isufi, ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
I pandehuri, dhëndër i familjes Morina, dyshohet se vrau dy vëllezërit e gruas së tij, Dritonin dhe Naimin më datë 6 nëntor në fshatin Golluboc të Malishevës.
Prokuroria thotë se Isufi dyshohet se “me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerët D.M. dhe N.M., që të dy nga fshati Golluboc – Komuna e Malishevës”.
“…në atë mënyrë që i pandehuri si dhëndër i familjes së tani të ndjerëve D.M., dhe N.M., shkon në vendin e cekur më lart, tek shtëpia e të ndjerëve për ta marrë bashkëshorten I.M. dhe fëmijët, e cila ndodhej tek familja e saj me rastin e varrimit të babait, e ku për këtë ceremoni varrimi kishin ardhur edhe tani të ndjerët D.M. dhe N.M., e si shkak i problemeve dhe dhunës së ushtruar ndaj motrës së tani të ndjerëve, gjatë largimit nga shtëpia e këtyre të fundit, në rrugë fillon një fjalosje në mes tyre e në momentin kur dëshmitarja I.M. përshëndetet me nënën e saj e del jashtë dyerve të oborrit, në rrugë vëren të pandehurin – bashkëshortin e saj duke shtënë disa herë me armë të llojit Pistoletë TT në drejtim të vëllait të saj tani të ndjerit D.M. e më pas shtënë po ashtu disa herë në drejtim të vëllait tjetër të saj tani të ndjerë N.M.”.
“Të ndjerët D.M., dhe N.M., nga plagët e marra në pjesë vitale të trupit mbesin të shtrirë përtokë. I pandehuri hedh pistoletën dhe largohet në drejtim të panjohur, ndërsa viktimat dërgohen në QKMF Kijevë pa shenja jete. Të nesërmen i pandehuri arrestohet”, thotë Prokuroria.
Me këto veprime formohet dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale, “Vrasja e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”