
I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se nuk ka vendosur ndonjë afat sa i takon arritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Gazeta10.
Escobar ka thënë se nuk është në dijeni nëse propozimi europian po kërkon një zgjidhje brenda javësh, por kërkon përparim shumë shpejtë.
“Nuk e di që propozimi evropian kërkon një zgjidhje urgjente brenda pak javësh, por sigurisht që kërkon përparim shumë të shpejtë në dialog”, thotë Escobari në një intervistë për televizionin publik serb, RTS, transmeton Gazeta10.
Tutje, Escobar ka thënë se nuk i takon SHBA-së të vendos afate në kuadër të këtij procesi, por me aq sa ai di, afate nuk ka vendosur as BE-ja.
“Nuk kam vendosur asnjë afat për këtë dhe ai propozim është ende në kuadër të dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Para së gjithash, nuk na takon ne të vendosim afate, por me sa di unë, as evropianët nuk i kanë vendosur ato”, tha më tej Escobari.
Kujtojmë se Gabriel Escobar ka qëndruar së fundmi në Kosovë ku ka takuar krerët e shtetit dhe të opozitës, më pas ai ka vizituar edhe Serbinë. / Gazeta10